AKTIVITET TRAJNUES: “Kërkimi, arsyetimi dhe shkrimi ligjor me fokus njësinë ligjore në bashkëpunim me SHM” - 16 shkurt 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 16 shkurt 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Kërkimi, arsyetimi dhe shkrimi ligjor si dhe çështje të tjera të administrimit gjyqësor me fokus njësinë ligjore në bashkëpunim me SHM", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Sokol Berberi dhe Markelian Koça

Lehtësuese: Iva Çorri (Zemani) 

Qëllimi i këtij trajnimi është: Forcimi i kapaciteteve profesionale të stafit të njësisë ligjore të KLGJ-së dhe ndihmësve ligjorë, në drejtim të zhvillimit të aftësive për kërkim juridik, arsyetim dhe shkrim ligjor cilësor, në përputhje me standardet më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare. Trajnimi synon gjithashtu përmirësimin e praktikave të administrimit gjyqësor, rritjen e efikasitetit në mbështetjen e proceseve vendimmarrëse dhe forcimin e rolit të njësisë ligjore në garantimin e cilësisë, transparencës dhe profesionalizmit në funksionimin e sistemit gjyqësor, nëpërmjet bashkëpunimit institucional me Shkollën e Magjistraturës.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Procesi kërkimit, arsyetimit dhe shkrimi ligjor: elementet, radha e argumenteve, paragrafët dhe gjuha;
  • Struktura e arsyetimit të vendimeve gjyqësore: argumenti logjik dhe bindës: problematika dhe praktikat e mira;
  • Shkrimi, kërkimi dhe arsyetimi ligjor në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit;
  • Njësia e shërbimit ligjor dhe roli i ndihmësve ligjorë/këshilltarëve në procesin e vendimmarrjes gjyqësore.

Në këtë aktivitet trajnues morën këshilltarë të njësisë ligjorë pranë KLGJ dhe ndihmës ligjorë të Republikës së Shqipërisë.